Ejani në Peshkopi dhe provoni, mikpritjen dhe natyrën mahnitëse. Malet, lumejntë, liqenet, fushat, monumentet e natyrës dhe të kulturës, materiale e shpirtërore, kalatë antike janë një mrekulli e vërtete,që ka krijuar natyra dhe dora e dibranit. Guzhina tradicionale e pasur dhe e pastër dibrane, frutat dhe perimet bio, prodhimet e shijshme blegtorale; veprimtaritë kulturore artistike, festat tradicionale, ju ftojmë të vini e të jeni miq të përhershëm të qytetit të Peshkopisë.
Në çdo stinë të vitit Peshkopia iu pret. Pranvera duket sikur vetëm në qytetin e Peshkopisë derdh gjelbrimin dhe erën kundërmonjëse të blinave të shumtë. Vera e ngrohtë pa ndotje, pluhra e smog, ta mbush kraharorin me ajër të pastër gjatë 24 orëve. Vjeshta e artë, duket sikur vetëm në Dibër indentifikon vetveten. Dimri me jorganin e bardhë hedhur supeve të qytetit krijon një peisazh mahnitës. Ejani në qytetin e Peshkopisë në çdo stinë të vitit, Peshkopia ju pret!
Nëse do të vini në drejtimin Tiranë – Milot- Burrel- Peshkopi ju do të shihni, sapo të kaloni Qafën e Buallit, Bulqizën, qytetin e minierës së kromit. Duke vazhduar rrugën, në të majtë të saj, jo shumë larg qytetit, do të shihni ca gurë të mëdhenj, që edhe vinçat me vështirësi i lëvizin. Gojëdhanat për këto gurë thonë se, në vitin 1465 Skënderbeu në këtë fushë (Vajkal) zhvilloi betejën kundër Ballaban Pashës. Nga maja e malit, ushtarët e Skënderbeut rrokullisnin gurë mbi ushtrinë e Ballabanit, prandaj dhe sot këto gurë quhen “Gurët e Skenderbeut”.
Po le të kthehemi tek fusha e Vaikalit dhe të vazhdojmë rrugën drejt qytetit të Peshkopisë. Duke udhëtuar, do të kaloni mbi një urë që quhet “Ura e Qytetit”, mbi të cilin si një lapidar ngrihet mali që quhet “Mali i Skënderbeut.”
Edhe këtu gojëdhëna thotë se Skënderbeu me ushtarë u rrethua nga turqit. Por pushtimi i këtij mali ishte i pa mundur. Atëherë turqit menduan ta marrin me uri duke e mbajur të rrethuar. Rrethimi zgjati shumë kohë dhe Skënderbeut po i mbaroheshin ushqimet. Atëherë ai urdhëroi, që t’i jepej ushqim (thekër) një kali dhe ta hidhnin nga maja e shkëmbit. Dhe ashtu bënë. Kalit i plasi barku e i duel thekëra. Turqit duke menduar se Skënderbeu kishte ushqim dhe për kafshët u larguan.
Gjatë udhëtimit, ju do të shihni fshatrat e bukur si fole shqiponjash të komunës së Zerqanit dhe të Shupenzës. Pasi kalojmë këto komuna arrim tek ura e Topojanit dhe ngjitemi në një kodër të butë që quhet Maranica. Pasi kalojmë Maranicën, vazhdojmë rrugën për në komunën e Maqellarës. Në të djathë është xhamia e Allajbegisë, për të cilën folëm dhe më lart. Rreth 500m para se të futesh në Maqellarë, në të djathë hasim rrugën; Maqellarë – Dibër e Madhe (Maqedoni). Pasi kalojmë Maqellarën ,në të djathë rreth 1km ngrihet kodra e Pesjakës, që ka shërbyer si vend pelegrinazhi për vendasit. Duke vazhduar rrugën futemi në Kalanë e Grezhdanit. Kjo kala,ndodhet 14km larg qytetit të Peshkopisë. Ecim më tej dhe ngjitemi në një kodër që quhet Qafa e Qenokut. Këtu është dhe kufiri tradicional që ndan Dibrën e Epërme nga Dibra e Poshtme.
No comments:
Post a Comment